Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka ndërtuar një ushtri moderne, profesionale dhe në përputhje me standardet e NATO-s, duke theksuar se vetëm në katër vitet e fundit janë investuar mbi 450 milionë euro në sisteme armatimi.
Në një diskutim në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Maqedonci tha se progresi më i madh në sektorin e mbrojtjes është arritur në vitet e fundit.
“Janë investuar mbi katërqind e pesëdhjetë milionë euro vetëm për blerje të sistemeve të armatimit”, deklaroi ai, duke shtuar se investimet kanë përfshirë edhe infrastrukturë, trajnime brenda dhe jashtë vendit, si dhe baza të reja ushtarake.
Sipas tij, sot Kosova ka një ushtri profesionale dhe të pajisur me sisteme moderne.
“Sot Kosova qëndron të paktën në mes vendeve më të forcuara ushtarakisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar Serbinë”, u shpreh Maqedonci.
Modernizimi: artileri, sisteme antitank dhe dronë
Maqedonci konfirmoi se Kosova ka kontraktuar sistemin amerikan të artilerisë 105 mm “Hawkeye”, duke theksuar se është vendi i parë jashtë SHBA-së që e ka prokuruar këtë sistem.
“Ne jemi vendi i parë që ka prokuruar këtë sistem jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Ai bëri të ditur se FSK-ja posedon tri sisteme antitank dhe është në pritje të sistemit të katërt.
“Tashmë Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është pa sisteme antitank”, theksoi ministri.
Në aspektin ajror, ai përmendi dronët Bayraktar TB2, sistemin amerikan Puma dhe dronët kamikazë, ndërsa konfirmoi se janë në proces për blerjen e helikopterëve multifunksionalë.
“Ne jemi në progres dhe në proces të blerjes së helikopterëve”, u shpreh ai.
Mbrojtja gjithëpërfshirëse dhe rezervat vullnetare
Ministri bëri të ditur se FSK-ja aktualisht ka katërfish më shumë pushkë individuale sesa personel aktiv, në funksion të programit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.
“Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë që të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai, duke sqaruar se bëhet fjalë për shërbim vullnetar, jo të detyruar.
Maqedonci ka folur edhe për tema si bashkëpunimi me Shqipërinë e Kroacinë si dhe kërkesën për dorëzimin e grupit të Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë. /Telegrafi/