Shpërthen dhuna në Meksikë pas vrasjes së liderit të drogës El Mencho

Një valë e re dhune ka shpërthyer në Meksikë pasi është vrarë një nga figurat më të kërkuara të botës së krimit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.

59-vjeçari, lider i kartelit të frikshëm Jalisco New Generation Cartel (CJNG), mbeti i vrarë gjatë një operacioni të forcave speciale meksikane në qytetin Tapalpa, në shtetin Jalisco, teksa autoritetet po përpiqeshin ta arrestonin.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, gjatë përplasjes u vranë katër anëtarë të kartelit, ndërsa tre ushtarë mbetën të plagosur.

Pas vrasjes së tij, mbështetës të CJNG-së nisën akte hakmarrjeje në të paktën 12 shtete të vendit. Rrugë u bllokuan me automjete të djegura, u raportuan persona të armatosur në rrugë, ndërsa disa qytete u përfshinë nga tymi dhe përleshjet.

Pamje nga terreni treguan shtëllunga tymi mbi qytete përfshirë Guadalajara, një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës FIFA.

Guvernatori i Jalisco, Pablo Lemus Navarro, shpalli “kod të kuq”, duke pezulluar transportin publik, aktivitetet masive dhe mësimin fizik në shkolla.

Në qytetin turistik Puerto Vallarta, turistët e përshkruan situatën si “zonë lufte”.

Sipas kabinetit të sigurisë, rreth 250 bllokada rrugore u vendosën në mbarë vendin, 65 prej tyre vetëm në Jalisco. Deri në përditësimin e fundit, katër bllokada mbeteshin aktive.

Autoritetet njoftuan për 25 persona të arrestuar – 11 për përfshirje në akte të dhunshme dhe 14 për grabitje dhe plaçkitje. Rreth 20 degë bankash u sulmuan, ndërsa disa dyqane u përfshinë nga flakët.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se ekziston “koordinim absolut” mes autoriteteve federale dhe atyre shtetërore dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të informuar.

Disa linja ajrore, përfshirë Air Canada, United Airlines dhe American Airlines, kanë anuluar fluturimet drejt Jalisco.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan qytetarët e tyre të strehohen në pesë shtete meksikane, ndërsa autoritetet britanike këshilluan “kujdes ekstrem” për vizitorët në Jalisco.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se SHBA-ja kishte ndarë informacione inteligjence që ndihmuan në operacionin për kapjen e El Menchos. Zëdhënësja e shtypit, Karoline Leavitt, e cilësoi atë si një nga trafikantët kryesorë të fentanilit drejt SHBA-së.

Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në arrestimin e tij.

Operacioni, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, ishte “planifikuar dhe ekzekutuar” nga forcat speciale të vendit.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika