Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do të marrë drejtimin e negociatave me Serbinë.
Kjo u bë e ditur pas takimit të tij me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.
Sipas njoftimit, palët diskutuan për momentumin aktual të dialogut dhe nevojën për një qasje më efektive dhe të qëndrueshme
“Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, priti në takim njoftues Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, z. Peter Sørensen.
Gjatë takimit, z. Konjufca e informoi z. Sørensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftim e MPDJ-së.