Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca e quajti homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali, mike, duke theksuar se takimet mes dy vendeve janë vëllazërore.
Konjufca përgëzoi Shqipërinë për, siç u shpreh, hapat gjigantë që ka bërë në procesin e integrimit evropian.
“E falënderova Spiropalin si gjithnjë për mbështetjen e deritashme që Republika e Shqipërisë ia ka ofruar Republikës së Kosovës dhe shtetndërtimit tonë, por edhe përfaqësimit të interesit tonë në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjet për anëtarësimet tona në organizata të rëndësishme. Jam i bindur se koordinimi ynë do ta fuqizojë përpjekjen e Kosovës për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës edhe për përafrimin tonë dhe anëtarësimin tonë drejt NATO-s dhe në organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, tha ai.
Sipas Konjufcës, sa më i fortë të jetë koordinimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, aq më e sigurt do të jetë rruga e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, ai tha se është biseduar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, për koordinim të plotë në politikën e jashtme si dhe për forcimin e kapaciteteve diplomatike.
“Takimet me homologët nga Shqipëria janë vëllazërore. Edhe pse kemi ministri të jashtme të ndara, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën. Ne ndajmë më shumë se interesa ndërshtetërore – ndajmë histori dhe fat të përbashkët”, tha Konjufca.