Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, vlerëson se i takon krye-këput Lëvizjes Vetëvendosje zgjedhjen e presidentit.
Mustafa, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se shkuarja në zgjedhje do të ishte gabim i madh.
“Vetëvendosje ka fituar 51% dhe ka shumicë që I bie që gjithçka rreth angazhimeve institucionale dhe të ardhmes varet krye-këput nga partia që udhëheq me qeverinë dhe gjithçka duhet të vijë nga ta. Po shihet se e kanë të zgjedhur këtë çështje pasi është në dorën e tyre dhe besoj që shumë shpejt do të deklarohen për zgjedhjen e tyre. Meqë nuk ka shumë zgjidhje, besoj që mund ta vazhdojnë mandatin e Vjosa Osmanit. Shkuarja në zgjedhje do të ishte gabim, por këtë mundësi e ka Albin Kurti. Të gjithë e dinë që mundësia është në duart e kryeministrit, Albin Kurti, askush nuk ka dëshirë të bie pre e lojërave taktike që kish me bo VV me cilëndo parti politike”, u shpreh Mustafa.
Mustafa, mes tjerash, foli edhe për deklarimet e Murat Jasharit pas lajmeve se dikush nga familja Jashari mund të marrë postin e presidentit.
“Unë jam mik i familjes Jashari, kam qenë edhe para luftës dhe jam ndjerë mirë me deklarimin e Murat Jasharit. Ai i dha fund spekulimeve rreth familjes Jashari pasi tregoi edhe rasti dhe rrethanat se kur do të merrte pozitën e presidentit. Këta (familja Jashari) nuk do të duhej të vihej në lojë e as të përdoreshin për këso çështje”, u shpreh Mustafa.