Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se partia më e madhe në vend e ka obligim që ta propozojë kandidatin për president.
Ai ka theksuar se partia në pushtet mund të veprojë njësoj si në rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, kur – sipas tij – janë paraqitur emra të padëshiruar, pa pasur kompromis paraprak për zgjedhjen e tyre.
“Ka mundësi që në të njëjtën formë të sillet edhe me rastin e propozimit për presidentin, duke e ditur se cilin mund të mos e votojnë deputetët ose ta refuzojnë”, ka thënë Isufi.
Ai shtoi se AAK nuk mund të propozojë emra nga parti të tjera, duke theksuar se ka pasur edhe propozime që Ramush Haradinaj të jetë kandidat për president.
“AAK nuk mundet me i qit tani emra të partisë tjetër, kur ne në fakt kemi pasur propozime që na kanë ardhur edhe prej anash për z. Haradinaj si president të mundshëm në nivel Kosove dhe unë jam i bindur që z. Haradinaj do të ishte pozicioni më i mirë për president”, ka deklaruar Isufi.