Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen solemne të Qeverisë deklaroi se Epopeja e UÇK-së përfaqëson ngjarjen më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës dhe një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare dhe në bashkimin e popullit drejt lirisë dhe pavarësisë.
Në mbledhjen solemne të Qeveria e Republikës së Kosovës, të mbajtur në nderim të kësaj ngjarjeje historike, Kurti tha se historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që hapin rrugë për të ardhmen, duke theksuar se marsi i vitit 1998 është një moment i tillë për Kosovën, njofton Dukagjini.
Ai rikujtoi rezistencën e komandantit legjendar, Adem Jashari, bashkë me familjen e tij në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, duke e cilësuar atë si një përballje të pabarabartë, por me përmasa të jashtëzakonshme.
“Sot shënojmë ngjarjen më të rëndësishme të historisë tonë bashkëkohore, Epopenë e UÇK-së. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimit tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë. Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që i hapin shteg të ardhmes – marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë – në Prekaz më 5,6 dhe 7 mars 1998 ndodhi një përballje aq e pabarabartë por me përmasa kaq të jashtëzakonshme. Në historitë e Evropës nuk mund të gjendet asnjë rast i vetëm kur për tri ditë e tri netë rresht i bënë rezistencë një familje liridashëse e autoktone një shteti policor e okupator – anise Familja Jashari ishte rrethuar shumëfish nga mijëra forca të armatosura e të pajisura me altieri të rëndë e pajisje moderne të kohës, ata qëndruan deri në fund duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve. Për këtë familje kishte vlerë vetëm një gjë – liria pasi asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo”, deklaroi Kurti.
Kurti theksoi se liria që gëzohet sot është ndërtuar mbi qëndresën e atyre që nuk u tërhoqën dhe nuk njohën dorëzim, prandaj historia e familjes Jashari duhet të trajtohet jo vetëm në aspektin historik, por edhe përmes studimeve të thella për të nxjerrë vlerësime të sakta mbi këtë sakrificë.
Ai shtoi se institucionet e Kosovës po punojnë që kjo trashëgimi kombëtare të dokumentohet, të ruhet dhe të përcillet te brezat e ardhshëm, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë.
“Liria që gëzojmë sot është ndërtuar mbi qëndresën e atyre që nuk u tërhoqën dhe nuk njohën dorëzim, andaj historia e Familjes Jashari duhet të trajtohet jo vetëm në aspektin historik por edhe atë për të bërë studime të thella, për të nxjerrë vlerësime të sakta dhe për të siguruar e edukuar se si është krijuar ky thesar kombëtar i yni”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po punon që kjo trashëgimi e vlerë e jonë kombëtare të dokumentohen, ruhet e të përcjellen në brezat e ardhshëm si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë. Lavdi e përjetshme kryekomandatit Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri – qoftë kujtimi i Epopesë së UÇK-së frymëzim i përhershëm që të vazhdojmë të ndërtojmë e zhvillojmë Republikën e Kosovës me përgjegjësi, drejtësi dhe sovranitet”, u shpreh Kurti.