Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë pasditës do të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Kurti, në një prononcim për media, deklaroi se uron e shpreson që të ketë edhe një kandidaturë të dytë, pos Glauk Konjufcës, që të përmbushet kërkesa kushtetuese për garë, njofton Dukagjini.
“Porsa mbaruam mbledhjen e qeverisë që i dedikohet Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash e kemi edhe një seancë solemne për Epopenë e UÇK-së, pastaj e kemi parakalimin e trupave të FSK-së. Por, pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin – urojmë, besojmë e shpresojmë edhe me një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, deklaroi Kurti.
Kujtojmë se sot është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, por ende nuk është thirrur seanca, pasi deri më tani është nominuar vetëm një kandidat.
Kandidati i vetëm është Glauk Konjufca, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje teksa për të thirrur seancën për zgjedhjen e Presidentit kërkohet edhe një kandidat i dytë.
Nga opozita deri më tani nuk është propozuar asnjë emër teksa edhe Lëvizja Vetëvendosje që i ka edhe 30 nënshkrime tjera në funksion nuk ka propozuar kandidat të dytë.