Ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se opozita duhet të propozojë një kandidat tjetër për president nëse nuk e mbështet kandidaturën e tij.
Konjufca tha se është kureshtar ta dijë se cilin emër do ta mbështesnin partitë opozitare, duke theksuar se deri tani as PDK dhe as LDK nuk kanë propozuar ndonjë kandidat.
“Ishte propozim i Vetëvendosjes edhe tash të ecim përparaa versioni me mirë është që edhe opozita ta bëj versionin e vet. Partitë politike PDK dhe LDK duhet të përcaktohen nëse nuk e votojnë Konjufcën kë do ta votojnë, për besë nëse e propozojnë ndonjë emër ndoshta edhe unë e votojë, atë tjetrin në vend meje, por askush nuk po propozon, as PDK as LDK. Jam shumë kurreshtar me ditë kush është ai që ata do ta votonin nëse nuk jam unë”, ka deklaruar ai.
Ai shtoi se Vetëvendosje nuk do të propozojë një kandidat të dytë, pasi sipas tij kjo duhet të bëhet nga opozita.
Sipas Konjufcës, edhe Vetëvendosje do ta mbështeste një kandidat tjetër vetëm për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
“Edhe VV do ta votonte për mos me shku në zgjedhje. Por duhet me nxjerrë një emër ata për me na tregu kush është ai nëse nuk bën i Vetëvendosjes. Sepse jam i bindur se nuk do të mund ta propozonin një person netural…Ne nuk e propozojmë edhe një emër sepse duhet ta propozojë opozita”, ka thënë ai para mediave.