Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mënyra më e mirë për ta nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është forcimi i shtetit me punë dhe me institucione stabile.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti theksoi se sot Kosova është shtet i një populli liridashës që ndërton të ardhmen mbi demokracinë, ligjin dhe vlerat perëndimore.
“Sot ne jemi shtet i një populli liridashës që gjithmonë është rreshtuar në anën e drejtësisë. Jemi Republika e një shoqërie që e ndërton të ardhmen e saj mbi demokracinë dhe ligjin, mbi liritë njerëzore e qytetare si dhe mbi vlerat civilizuese e perëndimore. Ne e nderojmë sakrificën e Jasharëve teksa forcojmë Republikën çdo ditë me punë të ndershme e me institucione stabile kjo është mënyra më e mirë për ta kthyer kujtesën në përgjegjësi dhe historinë në udhërrëfyes”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se krismat e pushkëve në Prekaz u përhapën deri te ndërgjegjja e diplomacisë ndërkombëtare, duke zgjuar mbarë kombin dhe duke shumëfishuar radhët e luftëtarëve të UÇK-së, çka e shndërroi rezistencën në një lëvizje të pandalshme për liri.
“Krismat e pushkëve në Prekaz u përhapën larg deri të ndërgjegjja e diplomacisë ndërkombëtare. Ato krisma zgjuan mbarë kombin dhe shumëfishuan radhët e luftëtarëve të UÇK, duke e shndërruar rezistencën në një lëvizje të pandalshme për liri. Krahas së qeni një ditë nderimi sot është edhe ditë reflektimi për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret”, ka thënë ai.
Sipas tij, përmes sakrificës së Prekazit janë tejkaluar kufijtë e një ngjarjeje të vetme historike, duke u shndërruar në një pikë referimi për brezat e ardhshëm dhe në burim frymëzimi për studiuesit dhe akademikët në mbarë botën.
“Përmes sakrificës së Prekazit janë tejkaluar kufijtë e një ngjarjeje të vetme historike të ndodhur në vendin tonë këtu e 28 vjet më parë. Ajo tashmë është besë e shpresë për popullin tonë, e pikë referimi për brezat e ardhshëm si dhe çështje studimi e frymëzimi për studiuesit e akademikët mbarë botës”, ka deklaruar ai.