Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së, së bashku me anëtarë të kabinetit qeverisës dhe deputetë.
Kurti tha se Prekazi është vendi ku kujtohet çmimi i lartë që populli i Kosovës ka paguar për lirinë dhe pavarësinë e vendit, njofton Dukagjini.
“Në Prekaz, në ditën e dytë të Epopesë UÇK-së, aty ku shkojmë për t’ia kujtuar e përkujtuar vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin tonë të lirë e të pavarur, bashkë me anëtarë të kabinetit qeverisës dhe deputetë ishim sot për të bërë homazhe”.
Duke folur për sakrificën e Adem Jasharit dhe Hamëz Jasharit, si dhe të familjes Jashari, Kurti theksoi se ajo lidhet me rrugën e gjatë të rezistencës dhe organizimit që çoi drejt kryengritjes gjithëpopullore dhe krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, sot Kosova ka ushtrinë e saj, e cila përmbush amanetin dhe idealin e atyre që luftuan për liri që nga orët e para.
“Kur flasim për sakrificën e Adem Jashari dhe Hamës Jashari, të Jasharëve, flasim po ashtu edhe për rrugën e gjatë të rezistencës dhe organizimit që çoi drejt kryengritjes gjithëpopullore dhe krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Kosova ka ushtrinë e saj, e cila përmbush një amanet dhe ideal të atyre që luftuan për liri që prej orëve të para. Lavdi Adem Jashari dhe familjes Jashari për sakrificën e tyre sublime që qëndron në zemër të historisë së popullit tonë dhe të shtetndërtimit tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.