Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë, ndërsa gjatë operacionit policor i janë sekuestruar mbi pesë kilogramë substanca të dyshuara narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, hetuesit nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prishtinë kishin zhvilluar hetime lidhur me dyshimet se një person ishte i përfshirë në trafikim të lëndës narkotike të llojit marihuanë.
“Më 6 mars 2026, pas grumbullimit të informacioneve të mjaftueshme, policia hartoi një plan taktik dhe rreth orës 21:00 lokalizoi një veturë për të cilën dyshohej se transportonte narkotikë. Pas ndalimit dhe kontrollit të automjetit, policia gjeti gjashtë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 8.1 gramë. Gjatë operacionit është identifikuar dhe lokalizuar edhe i dyshuari kryesor me inicialet L.M., të cilit gjatë kontrollit i janë gjetur 295 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve”, thuhet në njoftim.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, policia ka kryer edhe kontroll në banesën e të dyshuarit në Fushë Kosovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 537.7 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë, si dhe dëshmi të tjera relevante për rastin.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.