Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë i vendosur në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa paralajmëroi për ndikimin që konfliktet në Lindjen e Mesme po kanë mbi ekonominë dhe energjinë në Evropë.
Në një fjalim para Parlamentit Evropian, Von der Leyen tha se regjimi i Ajatollah Ali Khameneit në Iran ka sunduar për dekada përmes represionit, dhunës dhe frikës, duke shtypur liritë themelore të qytetarëve iranianë.
Ajo përmendi protestat masive të të rinjve iranianë, të cilët kërkuan një të ardhme më të mirë, por u përballën me represion të ashpër nga autoritetet, transmeton Dukagjini.
Sipas saj, më shumë se 17 mijë persona janë vrarë gjatë përpjekjeve të regjimit për të ruajtur pushtetin. Von der Leyen theksoi se regjimi iranian jo vetëm që ka shtypur qytetarët e vet për dekada, por gjithashtu ka sponsorizuar terrorizëm në rajon dhe në Evropë, si dhe ka mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Ajo shtoi se shumë iranianë kanë festuar rënien e Khameneit dhe shpresojnë që ky moment të hapë rrugën drejt një Irani të lirë, ku qytetarët të kenë liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre.
Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare, duke rikujtuar se BE-ja është themeluar si një projekt paqeje.
Në fjalimin e saj ajo foli edhe për pasojat ekonomike të krizës në Lindjen e Mesme, veçanërisht në sektorin e energjisë. Sipas saj, megjithëse Evropa ka reduktuar varësinë nga importet e karburanteve fosile, tregjet globale të energjisë mbeten të ndjeshme ndaj krizave.
Von der Leyen bëri të ditur se që nga fillimi i konfliktit çmimet e gazit janë rritur me 50 për qind, ndërsa ato të naftës me 27 për qind. Ajo theksoi se vetëm gjatë 10 ditëve të para të konfliktit, taksapaguesit evropianë kanë paguar rreth 3 miliardë euro më shumë për importet e karburanteve fosile.
“Por pavarësisht çfarë bëjmë në aspektin e masave, për sa kohë që importojmë një pjesë të konsiderueshme të lëndëve djegëse fosile nga rajone të paqëndrueshme, ne mbetemi të cenueshëm dhe të varur. Dhe kjo energji gjithmonë vjen me një kosto. Vetëm për të dhënë një shembull: që nga fillimi i konfliktit, çmimet e gazit janë rritur me 50% dhe çmimet e naftës me 27%. Nëse e përktheni këtë në euro – vetëm 10 ditë luftë i kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë një shtesë prej 3 miliardë euro për importet e lëndëve djegëse fosile. Ky është çmimi i varësisë sonë”, u shpreh Von der Leyen.
Sipas saj, kjo tregon qartë koston e varësisë nga energjia e importuar dhe nevojën që Evropa të vazhdojë tranzicionin drejt burimeve të brendshme të energjisë, si energjia e rinovueshme dhe ajo bërthamore.
Presidentja e KE-së paralajmëroi gjithashtu se kthimi te karburantet fosile ruse do të ishte një gabim strategjik që do ta bënte Evropën më të varur dhe më të cenueshme.
Ajo theksoi se Komisioni Evropian po shqyrton masa për të ulur faturat e energjisë për qytetarët dhe bizneset, përfshirë ndryshime në dizajnin e tregut të energjisë, përdorimin më të madh të kontratave për energjinë, si dhe mundësinë e kufizimit të çmimit të gazit.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se së shpejti do të prezantohet një udhërrëfyes i ri me titull “Një Evropë, Një Treg”, i cili do të përcaktojë masat kryesore legjislative për të forcuar konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2027.
Ajo u bëri thirrje institucioneve evropiane – Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit – që të bashkëpunojnë për të përmbushur këto objektiva në interes të qytetarëve evropianë.
Europe’s first responsibility is to protect our citizens and prepare for the impacts of the conflict in the Middle East.
We are already seeing the impact of the situation in the Middle East on energy ↓ https://t.co/5vl5fTVfy5
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) March 11, 2026