Analizë ligjore e padisë SLAPP nga Blinera Osmani kundër tri mediave dhe dy gazetarëve

Kjo analizë është bërë bazuar në standardet e përcaktuara në Direktivën e Bashkimit Evropian kundër padive SLAPP dhe në Rekomandimin CM/Rec(2024)2 të Këshillit të Evropës.

Media online “Nacionale” dhe gazetari Oqean Dermaku kanë publikuar një hulumtim më 18 dhjetor 2025, sipas të cilit avokatja Blinera Osmani është pajisur me licencën e avokates, pavarësisht faktit se i mungonte dokumenti “Deklarata e Papunësisë”. Ky dokument, i cili dëshmon se kandidati për avokat nuk është në marrëdhënie pune, është kriter për t’u bërë avokat dhe lëshohet nga Agjencia e Punësimit. Gazetari hulumtues Dermaku e ka bazuar raportimin e tij të vërtetë në konfirmimin zyrtar të kësaj agjencie, sipas së cilës ata nuk ia kanë lëshuar këtë deklaratë avokates Osmani. Raportimi fillestar është ripublikuar nga Reporteri dhe Periskopi. Përmbajtja është shpërndarë gjithashtu në rrjete sociale nga gazetarët Oqean Dermaku dhe Berat Buzhala.

Së pari, duhet të theksohet se raportimi trajton nëse një person me lidhje të afërta familjare me kreun e shtetit i ka përmbushur kriteret ligjore për t’u pajisur me licencë të avokatisë. Në qendër të raportimit nuk është jeta private e paditëses, por një çështje që prek drejtpërdrejt interesin publik. Kur raportimi lidhet me integritetin e procedurave të natyrës publike, sidomos për njerëz të lidhur ngushtë me krerët e shtetit, standardi i mbrojtjes së lirisë së medias është dukshëm më i lartë sesa në rastet e pretendimeve për cenim të reputacionit në çështje thjesht private.

Së dyti, avokatja Osmani është motra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e vendos atë në një rreth të afërt me pushtetin publik dhe, si rrjedhojë, e bën legjitime mbikëqyrjen mediatike sa herë që ekziston një çështje që ngre dyshime për trajtim të privilegjuar, konflikt interesi apo mungesë transparence. Pikërisht për shkak të kësaj lidhjeje, niveli i tolerancës ndaj kritikës nga ana e avokates duhet të jetë më i lartë se ai i një personi krejtësisht privat.

Së treti, vetë padia e politizon çështjen dhe e lidh me Presidenten. Një element domethënës është fakti që paditësja i referohet në padi Presidentes së Republikës, duke pretenduar se raportimi është ndërtuar për ta dëmtuar politikisht atë. Kjo tregon se edhe vetë paditësja e sheh çështjen si të lidhur me një figurë publike dhe me ndikim politik, çka e forcon edhe më shumë interesin publik të raportimit në fjalë.

Së katërti, gazetari ka vepruar me përgjegjësi profesionale dhe me kujdes të lartë në verifikimin e fakteve. Thelbi i raportimit lidhet me pyetjen nëse paditësja e ka përmbushur kushtin ligjor për statusin e papunësisë në kohën e aplikimit. Sipas konfirmimit zyrtar institucional, ky kriter nuk është përmbushur. Ai ka ndjekur standardet bazë të gazetarisë profesionale duke siguruar informacion nga institucione zyrtare, duke marrë konfirmim me shkrim nga Agjencia e Punësimit, duke kërkuar sqarime nga Oda e Avokatëve të Kosovës, duke kontaktuar palën e përfshirë dhe duke analizuar bazën ligjore dhe rregullative të profesionit të avokatisë. Kjo e bën shumë të vështirë të argumentohet se raportimi është bërë me shpërfillje të së vërtetës.

Së pesti, padia nuk e rrëzon thelbin e raportimit. Një element kyç në identifikimin e SLAPP-it është kur paditësi shmang thelbin e raportimit dhe e zhvendos debatin në çështje sekondare. Edhe në këtë rast, padia, sipas përshkrimit të fakteve, nuk e adreson drejtpërdrejt pyetjen qendrore: a e ka pasur Vërtetimin e Papunësisë në kohën e aplikimit për licencë? Në vend të kësaj, ajo e zhvendos diskutimin në interpretime më të gjera mbi kuptimin e “personit të punësuar” apo në çështje të tjera procedurale, të cilat nuk janë aspak relevante në këtë rast.

Së gjashti, paditësja nuk e ka përdorur të drejtën e korrigjimit siç kërkohet. Ndonëse paditësja ka reaguar publikisht, nga padia e saj nuk rezulton të ketë dërguar reagim zyrtar në media dhe të ketë kërkuar përmirësimin e fakteve të raportuara. Në vend të kësaj, është zgjedhur menjëherë rruga gjyqësore kundër disa mediave dhe gazetarëve, gjë që është tipike në paditë SLAPP. Elemente shtesë i padive SLAPP është që padia targeton jo vetëm median por edhe gazetarin si person fizik.

Së shtati, fakti që Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje etike apo shkelje të privatësisë është element shumë i rëndësishëm. Kjo tregon se raportimi, përveçse ka pasur bazë faktike, është konsideruar edhe në përputhje me standardet profesionale të medias. Kur një raportim kalon filtrin e vetërregullimit profesional, por megjithatë ndiqet me padi të gjerë civile, kjo e forcon dyshimin për abuzim të procedurave gjyqësore.

Së teti, reagimet publike të paditëses nuk e adresojnë në substancë raportimin. Sipas fakteve të paraqitura në padi, reagimet publike të paditëses, përfshirë ato në rrjete sociale, nuk e trajtojnë drejtpërdrejt çështjen qendrore të raportimit, pra mungesën e dokumentacionit të pretenduar, por fokusohen në diskreditimin e gazetarit dhe atribuimin e motiveve politike. Kjo është problematike sepse sugjeron se fokusi është zhvendosur nga sqarimi i së vërtetës te delegjitimimi i gazetarit, çka është tipar karakteristik i padive SLAPP.

Kjo padi është SLAPP sepse është e pabazuar, targeton një raportim të vërtetë dhe të bazuar në fakte, është ushtruar nga një palë me afërsi me pushtetin, targeton edhe gazetarin personalisht, dhe synon ta zhvendosë fokusin nga çështja thelbësore me interes publik te pretendime dytësore që nuk e rrëzojnë substancën e raportimit.

Analiza është bërë nga Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias dhe këshilltare e jashtme ligjore pro bono e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Ajo është bashkautore e Rekomandimit të Këshillit të Evropës kundër padive SLAPP, dokument ky i miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës. Ajo po ashtu është anëtare e Grupit të Ekspertëve kundër padive SLAPP të Komisionit Evropian.