
Me temperaturat që po ngriten në hyrjen e stinës së pranverës, zyrtarët që punojnë brenda objektit të qeverisë, përfshirë kryeministrin, freskimin e ajrit detyrohen ende ta bëjnë edhe me hapjen e këtyre xhamave, për shkak të kondicionerëve të vjetërsuar. )
Për ta bërë një zgjidhje më të mirë, Zyra e Kryeministrit ka hapur procedurë të tenderimit në vlerë të parashikuar prej 5800 euro, për çmontimin e 10 kondicionerëve të vjetër, dhe blerjen e montimin e 10 të rinjve.
Por, sapo u zgjodh fituesi, “Eor Group SHPK”, si oferta e tretë më e lirë, me 4300 euro, procedura u pezullua për shkak të një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nga kompania “INFINIT GROUP SHPK”, e cila pretendon se Zyra e Kryeministrit shkeli disa nene të Ligjit të Prokurimit.
Sipas ankesës së dorëzuar në OSHP, zyra e kryeministrit ia ka dhënë tenderin një kompanie që e ka të skaduar licencën e Iso Standardit.
“OE nuk plotëson kriterin lidhur me kapacitetin teknik dhe profesional. Certifikata ISO 27001 e dorëzuar nga OE i rekomanduar ka skaduar me 31.10.2025. Në këtë mënyrë OE është i papërgjegjshëm pasi që nuk ka dorëzuar dëshmi certifikatën ISO valide siç është kërkuar ne njoftimin për kontrate dhe ne dosjen e tenderit”, thuhet në aneksë.
Pretendimi i dytë i kompanisë ankuese, ka të bëjë me punët që i kryen kompania fituese. Sipas kësaj ankese, kompania, në ARBK, nuk e ka të evidentuar fare shërbimin për vendosjen e kondicionerëve.
“OE është i certifikuar për shërbime te kontabilitetit, libërmbajtjes dhe auditimit, këshilla për biznes, ndërmjetësim për shitjen e produkteve dhe shërbime tjera te aktivitetit inxhinerik dhe këshillave teknike. Rrjedhimisht OE është i papërgjegjshëm pasi që nuk është i certifikuar/ kualifikuar me ISO standarde të kësaj natyre te aktivitetit te prokurimit për te cilin ka ofertuar”, thuhet më tej në ankesë.
Ndërkohë, lidhur me këto pretendime dhe pezullimin e tërësishëm të procedurës, nga Zyra e Kryeministrit nuk janë deklaruar, ndonëse pyetjet për këtë çështje i kanë pranuar që nga 18 marsi.


