Ish-kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.
Kujtojmë se ish-kongresisti Engel ka pasur një rol të rëndësishëm dhe të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës, duke u konsideruar si një nga aleatët më të mëdhenj të saj në SHBA, njofton Dukagjini.
Engel, që nga vitet 90-ta ishte ndër zërat më të fuqishëm në Kongresi i Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve, duke kundërshtuar politikat e regjimit të Slobodan Millosheviq dhe duke mbështetur ndërhyrjen e NATO-së gjatë luftës në Kosovë.
Sa ishte gjallë, Engel vazhdoi angazhimin e tij edhe pas luftës, duke përkrahur pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare, si dhe duke kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe SHBA-së.
Engel ka vizituar shpesh Kosovën dhe është nderuar nga institucionet e vendit, ndërsa në Prishtinë një rrugë mban emrin e tij, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij.
Rreth vdekjes së Engel ka shkruar edhe kreu i Prishtinës, Përparim Rama, duke vlerësuar lartë angazhimin e tij për Kosovën.
“Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel. Në një kohë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për miq, ai ishte ndër të parët që qëndroi në krahun tonë duke ngritur zërin me qartësi, bindje dhe mbështetje të palëkundur. Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj. Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë dhe përkushtimin e tij. Në emër të qytetarëve të Prishtinës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në kujtesën tonë”, ka shkruar Rama.