Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh dhe të dëshmuar të Kosovës.
Haxhiu vlerëson se Engel ishte një përkrahës i palëkundur i lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, duke qëndruar për më shumë se tri dekada në anën e drejtë të historisë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton Dukagjini.
“Kosova sot humbi mikun e dëshmuar, kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili ishte përkrahës i palëkundur i lirisë dhe shtetësisë sonë. Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, shprehu ngushëllimet për familjen e Engel dhe për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e përhershme e historisë së Kosovës.
“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Engel dhe për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e përhershme e historisë sonë”, ka shkruar Haxhiu.