Manchester City ka rihapur garën për titull në Premier League pas fitores së madhe 3–0 ndaj Chelsea në “Stamford Bridge”, duke iu afruar liderit Arsenalit në vetëm gjashtë pikë diferencë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Skuadra e Pep Guardiolës e vendosi ndeshjen në pjesën e dytë, duke shënuar tre gola brenda 17 minutave.
Fillimisht, Nico O’Reilly kaloi Cityn në epërsi në minutën e 51-të me një goditje me kokë pas krosimit të Rayan Cherki. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Cherki asistoi sërish, këtë herë për Marc Guéhi, i cili realizoi saktë në cepin e portës.
Për golin e tretë u përkujdes Jeremy Doku, i cili vulosi fitoren dhe e ktheu ndeshjen në një dominim të plotë të Cityt në Londër.
Megjithatë, fitorja u shoqërua edhe me një lajm negativ për Cityn, pasi O’Reilly u detyrua të largohej i lënduar në fillim të pjesës së dytë.
Me këtë triumf, Manchester City ngjitet në kuotën e 64 pikëve, gjashtë më pak se Arsenal, por me një ndeshje më pak dhe me përballjen direkte që pritet të luhet në “Etihad Stadium”.
Në anën tjetër, Chelsea mbetet në vendin e gjashtë dhe rrezikon seriozisht garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve, duke qenë katër pikë prapa Liverpool në vendin e pestë.