Veç në kryeqytet janë mbi 200 fëmijë që kanë nevojë për asistim në shkolla.
E numri i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është shumë i vogël krahas nevojës.
Deri më tani rreth 140 kanë asistentë e 130 tjerë janë në pritje.
Për numrin e vogël të asistentëve foli drejtori i arsimit, Samir Shahini.
“Aktualisht ky numër që kemi ne në kryeqytet 70 asistent nuk mjafton as për së afërmi për të plotësuar nevojat e fëmijëve të vlerësuar që kanë rezultuar në nevojë për mbështetje përmes asistentëve diku në total në kryeqytet i kemi mbi 130 fëmijë që presin, presin sherbime derisa ne presim rritjen e numrit të asistentëve”, ka thënë Samir Shahni, drejtor i arsimit në komunën e Prishtinës.
Shahini bëri të ditur se këtë kërkesë e kanë adresuar tash e disa herë në Ministrinë e Arsimit.
“Ju kemi drejtu me shkresa gjatë vitit të kaluar kurse një të tillë jemi duke e përgatitur edhe këtë vit që të shtohet numri i asistentëve, sa më tepër që ngritet numri i asistentëve në kryeqytet përmes grantit duhet të përcillet edhe me operatorë që më pas ofrojnë kualifikime”, ka thënë Samir Shahni, drejtor i arsimit në komunën e Prishtinës.
Që numri i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është i vogël krahas nevojës, e thotë edhe Erëbril Kadriu nga Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje.
“Po rrezikohet mbështetja efektive dhe profesionale për nxënësit me nevoja të veçanta edhe rrjedhimisht po rrezikohet edhe baza arsimore gjithëpërfshirës në vendin tonë, asistenti për fëmijët nuk është lluks nuk është privilegj është nevojë”, ka thënë Erëbril Kadriu, psikolog në QPGJ.
Kadriu tha se janë mbi 4,000 fëmijë me nevoja të veçanta por që nuk janë shifra reale.
“Ky numër mendoj që nuk i tregon statistikat reale pasi që ka një numër të madh të cilët nuk janë të regjistruar nuk janë të paraqitur dhe presin vlerësimet nga komisionet komunale përkatëse për nevojat e tyre dhe gjendjen”, ka thënë Erëbril Kadriu, psikolog në QPGJ.
Televizioni ka tentuar të marr një qëndrim edhe nga Ministria e Arsimit por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.