Federata Shqiptare e Futbollit, nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, ka mirëpritur në një vizitë zyrtare tre-ditore Presidentin e Federatës Moldave, Leonid Oleinicenco, së bashku me një delegacion të gjerë nga institucionet sportive dhe qeveritare të Moldavisë.
Në qendër të kësaj vizite ishte shkëmbimi i eksperiencave mbi zhvillimin e infrastrukturës sportive, me fokus të veçantë modelin shqiptar të ndërtimit dhe menaxhimit të stadiumit kombëtar Air Albania Stadium.
Gjatë takimeve dhe prezantimeve në Tiranë, delegacionit moldav iu paraqit një qasje e integruar që përfshin aspektet ligjore, ekonomike dhe teknike të realizimit të këtij projekti madhor. Ky model bashkëpunimi ndërmjet Federata Shqiptare e Futbollit, institucioneve shtetërore dhe sektorit privat u vlerësua si një shembull konkret dhe i suksesshëm për zhvillime të ngjashme në Moldavi.
Përfaqësuesit moldavë patën gjithashtu mundësinë të vizitojnë nga afër stadiumin dhe të njihen me standardet moderne që ai ofron, si në aspektin sportiv ashtu edhe në menaxhimin multifunksional.
I inauguruar në vitin 2019, stadiumi “Air Albania” vazhdon të tërheqë vëmendje ndërkombëtare si një histori suksesi në fushën e infrastrukturës sportive. Ky projekt jo vetëm që ka rritur standardet e futbollit në vend, por ka pozicionuar Shqipërinë si një model pozitiv në rajon dhe më gjerë.