Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend, situata ekonomike, procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe çështje të tjera me rëndësi.
Pas mbledhjes, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar para mediave se në takim ka pasur diskutime, kritika, këshilla dhe propozime, ndërsa në fund organi drejtues i partisë ka miratuar në mënyrë unanime një deklaratë politike.
Duke prezantuar qëndrimin e partisë para mediave, Hamza tha se PDK ka treguar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës politike, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje.
Megjithatë, sipas tij, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual ka pamundësuar sërish zgjedhjen e Presidentit, andaj PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces.
Në deklaratën e miratuar, Këshilli Drejtues i PDK-së shprehu shqetësim edhe për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës, duke kërkuar masa urgjente dhe konkrete për mbështetjen e qytetarëve.
Po ashtu, partia kërkoi një vendim përfundimtar të drejtë dhe të paanshëm për liderët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke ritheksuar bindjen e saj në pafajësinë e tyre dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.
PDK theksoi gjithashtu orientimin e saj euroatlantik dhe kërkoi forcimin e menjëhershëm të partneritetit strategjik me aleatët, si garanci për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
Në të njëjtën kohë, Këshilli Drejtues ritheksoi se zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me synimin për forcimin e demokracisë së brendshme dhe ndërtimin e një alternative të re qeverisëse.
Sipas deklaratës, PDK do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti dhe alternativë serioze për qeverisjen e vendit.