Platforma “Liria ka emër” ka reaguar ndaj shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë, duke e cilësuar këtë vendim si të papranueshëm.
Në reagimin e saj, “Liria ka Emër” thekson se vonesat e vazhdueshme nuk mund të konsiderohen më si pjesë normale e procedurave gjyqësore, por përbëjnë një degradim serioz të parimeve themelore të drejtësisë, veçanërisht të së drejtës për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.
“Organizata “Liria ka emër” e konsideron tërësisht të papranueshme shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm. Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në një mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme.
Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vite në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut.
“Liria ka emër” vlerëson se këto zhvillime po e dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.
“Liria ka emër” paralajmëron se çdo shtyrje e mëtejshme në këtë proces gjyqësor në Gjykatën Speciale, këtë institucion vetëm sa e largojnë edhe më shumë nga standardet e drejtësisë, duke e shndërruar në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagim.