Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot, më 7 maj, në orën 24:00, përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë që të deklarojnë pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore.
Sipas njoftimit të KQZ-së, ky obligim vlen për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.
Deri në orën 21:30 të së enjtes, KQZ ka pranuar njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, ndërsa 8 parti kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Po ashtu, janë regjistruar edhe dy koalicione parazgjedhore, të përbëra nga pesë parti politike.
Në mesin e partive që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate dhe Srpska Lista, si dhe subjekte të tjera të komuniteteve joshumicë.
Megjithatë, deri në këtë orë, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk figuron në listën e partive që kanë njoftuar zyrtarisht pjesëmarrjen në zgjedhje.
Ndërkohë, partitë që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje përfshijnë Aleanca Kosova e Re, Partia e Drejtësisë dhe disa subjekte të tjera politike.
Sa i përket koalicioneve, deri më tani janë regjistruar koalicioni “VAKAT”, i përbërë nga Demokratska Stranka Bosnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, si dhe koalicioni “Ashkalitë e Bashkuar”, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim.