Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë ekzekutuar pagesat për lehonat me vlerën e re prej 500 eurosh.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se vendimi për rritjen e shtesave është marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, të mbajtur të premten, duke mos pritur hyrjen në fuqi të pagës minimale prej 500 eurosh në muajin korrik.
Ai ka sqaruar se pagesat janë procesuar në sesionin e fundit bankar, ndërsa ka paralajmëruar se mund të duhet pak kohë derisa mjetet të reflektohen në llogaritë e përfituesve.
“Sot janë ekzekutuar shtesat për lehonat me vlerën e re, të rritur. Nga tash 500 euro”, ka shkruar Kurti, duke uruar që këto mjete t’u shërbejnë nënave dhe familjeve për përkrahje më të madhe financiare.