Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratave të ish-presidentes Vjosa Osmani, duke i quajtur të pabazuara pretendimet për një “plan të fshehtë për eliminim politik” ndaj saj.
Pacolli tha se këto deklarata, sipas saj, tregojnë mënyrën se si interpretohen zhvillimet politike dhe nivelin e analizës së situatës.
“Deklarata e ish-presidentes Osmanit tregon shumë për pjekurinë e saj politike”, deklaroi Pacolli ne Debat Plus.
Ajo theksoi se Vetëvendosje në atë kohë kishte bërë ftesë të drejtpërdrejtë për bashkëpunim me Vjosa Osmanin në qeverisje.
“Sepse të deklaroj se ne kemi pasur plan të fshehtë për ta eliminuar atë nga skena politike, nuk di si mund të shpjegohet një gjë e tillë kur ne e kemi ftuar pikërisht atë që të jetë pjesë e bashkëqeverisjes”, u shpreh ajo.
Pacolli përmendi edhe ofertat konkrete që, sipas saj, i janë bërë ish-presidentes për pozita të rëndësishme shtetërore.
“Kemi ofruar pozitën zëvendëskryeministre e parë dhe ministre të Punëve të Jashtme”, tha Pacolli.
Ajo shtoi se këto pozita sot i mban Glauk Konjufca.
“Nëse do të donim ta eliminonim politikisht, nuk do ta ftonim të bëhej pjesë e një qeverie të përbashkët”, deklaroi Pacolli.
Sipas saj, pretendimet për përjashtim të qëllimshëm politik nuk përputhen me faktet e bashkëpunimit të ofruar në atë periudhë.