Izraeli ka nisur një valë sulmesh në jugun e Libanit, duke synuar infrastrukturën e Hezbollahut, sipas ushtrisë izraelite.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kishin kryer një sulm “të synuar” në kryeqytetin Bejrut, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Të mërkurën, IDF u bëri thirrje banorëve të zhvendosen në veri të lumit Zahrani, rreth 40 km nga kufiri izraelit, duke thënë se do të vepronte “me forcë ekstreme”.
Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu – grupi i fuqishëm shiit i mbështetur nga Irani – kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të përsëritura të armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill.
Sipas ministrisë libaneze të shëndetësisë, të paktën 11 persona janë vrarë nga sulmet më të fundit.
Rreth orës 14:00, IDF tha se kishte goditur Bejrutin në mënyrë “të synuar” dhe se do të jepte më shumë detaje më vonë.
Më herët të enjten, dy seri sulmesh izraelite goditën Tyre dhe një zonë në lindje të qytetit, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA).
Izraeli tha se sulmet kishin në shënjestër infrastrukturë të dyshuar të Hezbollahut.
Gjatë natës u dhanë urdhra të tjerë evakuimi nga Izraeli, ndërsa njerëzit ishin në gjumë. Shkalla e zhvendosjes tani po rëndon gjithë rajonin.
Strehimoret në qytetin e Sidonit kanë arritur kapacitetin maksimal, tha për BBC-në kreu i bashkisë, dhe nuk ka më hapësirë për personat e sapo zhvendosur. Autoritetet po këshillojnë banorëve të udhëtojnë më në veri, drejt kryeqytetit Bejrut.
Gjithashtu, NNA raportoi se një sulm me dron izraelit kishte goditur një familje që po përpiqej të largohej nga fshatrat e kërcënuara në jug të Libanit për të gjetur siguri, duke vrarë gjashtë persona, përfshirë fëmijë.
Urdhri i evakuimit të së mërkurës ishte më i madhi që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, duke mbuluar rreth 14% të territorit libanez.
Sulmet erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi zgjerimin e operacionit tokësor pas sulmeve me dron të Hezbollahut ndaj trupave që okupojnë pjesë të jugut të Libanit dhe ndaj civilëve në veri të Izraelit.
Izraeli godet jugun e Libanit, mijëra banorë paralajmërohen të largohen