Parlamenti i Iranit pritet të shqyrtojë dhe votojë një projektligj që synon të formalizojë me bazë ligjore menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme për transportin global të energjisë.
Lajmin e ka bërë të ditur Alaeddin Salimi, anëtar i bordit drejtues të parlamentit iranian, i cili deklaroi se deputetët kanë arritur një vendim për të kodifikuar me ligj mënyrën e administrimit të kësaj rruge strategjike detare.
Sipas tij, Teherani nuk do të lejojë ndërhyrje apo ndikim nga aktorë të huaj në çështjet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, duke insistuar se çdo vendim për këtë zonë do të mbetet kompetencë ekskluzive e autoriteteve iraniane.
Salimi njoftoi se projektligji fillimisht do t’i nënshtrohet procedurave të zakonshme parlamentare dhe më pas do të diskutohet në seancë plenare, ku do të hidhet në votim.
Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për ekonominë globale. Një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës dhe gazit natyror transportohen përmes kësaj rruge ujore, duke e bërë atë një pikë kyçe për sigurinë energjetike ndërkombëtare.
Për shkak të kësaj rëndësie, çdo vendim apo ndryshim që prek statusin dhe menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit monitorohet nga afër nga tregjet globale dhe qendrat kryesore të vendimmarrjes ndërkombëtare.