Analisti politik Sadri Ramabaja vlerëson se lëvizjet e fundit në sondazhe dhe në skenën politike janë të pritshme, duke argumentuar se opozita ka hyrë në garën zgjedhore pa një vizion të qartë politik.
“Po lëvizin numrat. Krejtësisht normale që lëvizin. E para, opozita ka hyrë në betejë politike pa vizion. Mungesa e vizionit nuk zëvendësohet me krijimin e alarmit dhe pasigurisë. Gjithsesi, kjo lexohet nga qytetarët”, ka deklaruar Ramabaja ne “Debat Plus” ne TV Dukagjini.
Sipas tij, qytetarët po tregojnë më shumë maturi politike sesa një pjesë e spektrit politik.
“Maturia politike e qytetarëve është më e madhe dhe më e konsoliduar sesa ajo e disa politikanëve”, tha ai.
Ramabaja parashikon se zgjedhjet mund të sjellin ndryshime në përbërjen e opozitës në Kuvend, madje disa subjekte mund të mbesin jashtë parlamentit.
“Do të kemi ndryshim në strukturën e opozitës. Një pjesë e saj do të jetë jashtë parlamentit dhe në Kuvend do të kemi tri grupime politike”, u shpreh ai.
Ai vlerësoi se partitë opozitare mund të afrohen më shumë me njëra-tjetrën pas zgjedhjeve, duke funksionuar në praktikë si një bllok i vetëm politik.
“Opozita mund të përafrohet relativisht shumë dhe vetëm formalisht do të funksionojë si dy parti në Kuvend. Këtë përafrim e kemi parë në Prishtinë dhe modeli i saj mund të bartet edhe në nivelin qendror”, deklaroi Ramabaja.
Sipas tij, si rezultat i këtyre zhvillimeve, opozita mund të dalë më e dobët politikisht krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, ndërsa pas zgjedhjeve mund të krijohet hapësirë për rikonfigurim të spektrit të djathtë politik.
“Rrjedhimisht, opozita do të duket më e rrudhur sesa ka qenë në zgjedhjet e dhjetorit. Pas zgjedhjeve mund të kemi një terren më të hapur dhe një hapësirë më të mirë për të djathtën reale”, përfundoi ai.