Analisti politik Imer Mushkolaj vlerëson se zgjedhjet e ardhshme pritet të mos sjellin ndryshime të mëdha në skenën politike, duke thënë se rezultati mund të jetë i ngjashëm me atë të zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar.
Sipas tij, lëvizjet në skenën politike kanë qenë të kufizuara dhe periudha e shkurtër mes proceseve zgjedhore nuk ka krijuar ndryshime substanciale në preferencat e qytetarëve.
“Mendoj që do të sillemi rreth rezultatit të shkurtit të vitit të kaluar. Edhe në bazë të lëvizjeve, sado të vogla në skenën politike, por edhe në bazë të kohës së shkurtër, nuk është që ka ndryshuar diçka”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ai thekson se një nga arsyet kryesore të shkuarjes sërish në zgjedhje lidhet me pamundësinë për zgjedhjen e presidentit dhe krizën institucionale që e ka shoqëruar periudhën e fundit.
“S’e duhet harruar se zgjedhjet e kaluara mes shkurtit dhe dhjetorit kanë qenë në një krizë shumë të rëndë dhe ajo e ka determinuar edhe rezultatin e 28 dhjetorit”, ka shtuar ai.
Mushkolaj vlerëson se edhe në këto zgjedhje mund të ketë një ndikim të lehtë të Vjosa Osmanit në sjelljen e elektoratit, por jo ndryshime të mëdha në strukturën e përgjithshme të votës.
Ai thekson se, pavarësisht zhvillimeve politike, trendet kryesore elektorale pritet të mbeten të ngjashme me ato të zgjedhjeve të kaluara.
Tek AAK, analisti vlerëson se ndryshimet në krye të partisë mund të sjellin një mobilizim më të madh të elektoratit. Sipas tij, largimi i Ramush Haradinajt dhe ardhja e Ardian Gjinit në një rol udhëheqës mund të ndikojë pozitivisht në performancën zgjedhore të subjektit.
“Tek AAK-ja, largimi i Ramush Haradinajt ndoshta mobilizon pak më shumë njerëz me Ardian Gjinin në krye. Jo për shkak që ka ardhur ai në krye, por për shkak të këtij ndryshimi. Votuesit e AAK-së kanë me ia dhënë një shtysë për me shku tutje, me kalu pragun”, ka deklaruar ai.
Sa i përket LDK-së, ai thotë se ndikimi i Vjosa Osmanit pritet të jetë i dukshëm, por jo i mjaftueshëm për të ndryshuar ndjeshëm rezultatin përfundimtar. Sipas tij, LDK mund të mbetet afërsisht në linjën e rezultateve të zgjedhjeve të shkurtit.
Për PDK-në, analisti vlerëson se rezultati mund të jetë “plus-minus” në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ndërsa thekson se ende mbetet e paqartë se si do të ndikojë përfshirja e Fatmir Limajt në raport me listën dhe strukturimin e partisë.
“Nuk jam shumë i sigurt për këto kushtezime që ia kanë bërë Limajt në PDK”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, për Lëvizjen Vetëvendosje, ai thotë se barra kryesore në fushatë bie mbi këtë subjekt, për shkak të pritshmërive të larta dhe zotimeve të bëra në qeverisje, si dhe raportit mes asaj që është realizuar dhe asaj që nuk është realizuar.