Sulmet ajrore izraelite vrasin 9 persona, përfshirë oficerë të ushtrisë libaneze

Sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit të shtunën kanë vrarë nëntë persona, përfshirë tre pjesëtarë të ushtrisë libaneze, njoftuan ushtria e Libanit dhe mediat shtetërore, vetëm disa ditë pasi palët kishin arritur një marrëveshje të re armëpushimi.

Një sulm ajror në rrugën që lidh qytetin Nabatiyeh me qytezën Marjayoun ndodhi në orët e mëngjesit, duke vrarë një gjeneral brigade, një kapiten dhe një ushtar tjetër, bëri të ditur ushtria, pa publikuar menjëherë identitetin e tyre, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Një tjetër sulm ajror në fshatin jugor Saksakiyah vrau gjashtë persona dhe plagosi katër të tjerë, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.

“Agresioni i vazhdueshëm, i qëllimshëm dhe i përsëritur i Izraelit ndaj Libanit, popullit të tij dhe ushtrisë së tij vetëm sa e forcon vendosmërinë, besimin dhe qëndrueshmërinë tonë”, thuhet në deklaratën e ushtrisë libaneze.

Sipas ushtrisë, sulmet izraelite synojnë të pengojnë përpjekjet për “arritjen e një zgjidhjeje që do të rikthente stabilitetin, do të vendoste një armëpushim gjithëpërfshirës dhe do të çonte në tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara libaneze”.

Nga ushtria izraelite nuk pati koment të menjëhershëm lidhur me sulmin që vrau pjesëtarët e ushtrisë libaneze.

Armëpushimi i fundit u arrit përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara ndërmjet Izraelit dhe qeverisë së Libanit. Autoritetet libaneze e akuzojnë Hezbollahun se e ka tërhequr vendin në luftë dhe kishin bërë përpjekje për çarmatimin e tij para përshkallëzimit të fundit të konfliktit. Grupi militant ka refuzuar armëpushimin.

Sulmet ajrore ndodhën një ditë pasi presidenti dhe kryeministri i Libanit kritikuan Iranin për kundërshtimin e marrëveshjes së fundit të armëpushimit ndërmjet qeverisë libaneze dhe Izraelit, duke deklaruar se vendi i tyre nuk duhet të përdoret nga Teherani si një “kartë pazari” në bisedimet me Uashingtonin.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, reagoi të shtunën përmes një postimi në platformën X, duke thënë se pas deklaratave të presidentit Joseph Aoun, “dikush do të mendonte se është Irani ai që ka pushtuar një të pestën e Libanit, ka zhvendosur një të katërtën e libanezëve dhe po bombardon vendin e tij çdo ditë”.

Lufta nisi më 2 mars, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit, dy ditë pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara filluan sulmet ndaj Iranit. Që atëherë, Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore në Liban dhe ka kryer sulme të gjera që kanë detyruar mbi një milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Forcat izraelite kanë marrë nën kontroll rreth një të pestën e territorit të Libanit, duke avancuar më thellë në jug të vendit sesa në çdo periudhë që nga përfundimi i pushtimit izraelit të viteve 1982–2000.

Që nga fillimi i luftës, më shumë se 3.500 persona janë vrarë në Liban. Luftimet kanë shkaktuar gjithashtu vdekjen e të paktën 29 ushtarëve izraelitë dhe tre civilëve.

 

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika