Profesori universitar Kujtim Shala u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të cilët janë ende të pavendosur për zgjedhjet e nesërme, që të mbështesin Nenad Rashiqin dhe ekipin e tij, duke e paraqitur këtë zgjedhje si një alternativë ndaj ndikimit politik të Beogradit në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Shala thekson se vota nuk duhet të shihet si akt hakmarrjeje apo inati politik, por si një vendim për të përcaktuar të ardhmen e Kosovës dhe drejtimin që duhet të marrë shteti.
Duke vënë theksin te ndikimi i Serbisë në politikën e serbëve të Kosovës, profesori Shala shkruan se “për shumë vite, politika e Beogradit ka tentuar të ndikojë në jetën tonë përmes strukturave që shpesh kanë qenë më besnike ndaj urdhrave të jashtëm sesa interesave të qytetarëve që i kanë votuar”.
Sipas tij, qytetarët duhet të reflektojnë se vota nuk është vetëm zgjedhje e një kandidati, por edhe përcaktim i drejtimit që do të marrë shteti i Kosovës.
Profesori Shala tutje ka argumentuar se mbështetja për Nenad Rashiqin dhe ekipin e tij nënkupton mbështetje për një qasje që Kosovën e sheh si shtet të vetin dhe si shtëpi të përbashkët të të gjithë qytetarëve të saj, “pa urdhra nga jashtë dhe pa nostalgji për politika që i përkasin së kaluarës”.
Në fund, profesori Shala thekson se liria fitohet me sakrificë, por ruhet me mençuri, duke potencuar se vota mbetet forma më e fuqishme e shprehjes së vullnetit qytetar.
