Veton Berisha denoncon ministrin Krasniqi për presion ndaj qytetarëve

Kandidati per deputet, Veton Berisha, ka deklaruar se ka pranuar një telefonatë nga banorët e fshatit Brestovik në Pejë, e banuar me komunitetin egjiptian, të cilët kanë raportuar për presion ndaj tyre.

Sipas tij, banorët kanë thënë se kanë qenë nën presion nga ministri Elbert Krasniqi, kryetari i degës Avdyl Berisha, si dhe persona të sigurimit.

“Sot në mëngjes kam marrë një telefonatë nga banorët e Brestovikut, lagje e banuar me komunitet egjiptian në Pejë. Kanë marrë informata që banorët kanë qenë nën presion nga Elbert Krasniqi dhe kryetari i degës, Avdyl Berisha, si dhe sigurimi personal, duke penguar daljen e banorëve dhe duke bërë presion ndaj tyre”, ka deklaruar Berisha.

Ai e ka cilësuar këtë situatë si të papranueshme dhe të padrejtë, duke kërkuar që rasti të trajtohet nga institucionet kompetente.

“E konsideroj të papranueshme, të padrejtë dhe të pandershme që një ministër, i cili ka qenë në detyrë për vite, të shkojë dhe të ushtrojë presion me sigurim personal”, është shprehur ai.

Berisha ka thënë se ka ushtruar të drejtën e raportimit, duke vlerësuar se mund të ketë shkelje ligjore dhe duke kërkuar trajtim institucional të rastit.

Pas deklaratave të kandidatit Veton Berisha se banorët e lagjes Brestovik në Pejë janë përballur me presion gjatë një vizite të pretenduar nga zyrtarë dhe sigurim personal, ka reaguar edhe ministri Elbert Krasniqi.

Ndërkohë, Krasniqi i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i quajtur të pavërteta dhe të fabrikuara.

“Është totalisht e pasaktë, Vetoni është filmaxhi. Nuk mund të më mposhtë në zgjedhje dhe bën këso gjërash”, ka deklaruar Krasniqi.

Deklaratat e dy palëve kanë nxitur përplasje politike, ndërsa mbetet e paqartë nëse institucionet do të ndërmarrin ndonjë veprim lidhur me pretendimet e ngritura.