Ministria e Jashtme e Iranit ka paralajmëruar një përgjigje “shkatërruese” nëse Izraeli ndërmerr sulme hakmarrëse ndaj Teheranit ose Libanit, pas përshkallëzimit të fundit të tensioneve në rajon.
Në një deklaratë, Ministria tha se forcat iraniane kanë goditur disa “objektiva ushtarake” në veri të “territoreve të pushtuara palestineze”, duke iu referuar Izraelit.
Sipas Teheranit, këto sulme vijnë si reagim ndaj “shkeljeve të përsëritura” të armëpushimit të vendosur në prill mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit, përfshirë sulme amerikane ndaj anijeve dhe objektivave në jug të Iranit.
Irani dhe Izraeli kanë vazhduar të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, i cili, sipas raportimeve, është respektuar vetëm pjesërisht që nga 17 prilli.
Teherani ka thënë gjithashtu se veprimet e tij janë në mbrojtje të sigurisë dhe interesave kombëtare, duke paralajmëruar se çdo sulm izraelit ndaj Libanit ose Iranit do të përballet me një “përgjigje shkatërruese dhe gjithëpërfshirëse”.
Në anën tjetër, ushtria izraelite ka deklaruar se shefi i saj i shtabit të përgjithshëm, gjenerallejtënant Eyal Zamir, po zhvillon një vlerësim të situatës.
Sipas IDF-së, ai ka thënë se Izraeli “do ta godasë armikun me vendosmëri sapo të jepet urdhri”.