Mes shërbimeve që u jepen fëmijëve në kujdesin parësor tash do të shtohen edhe katër sosh.
Udhëzimi Administrativ për Kujdesin Parësor ka ndryshuar në fillim të majit.
Ndërhyrja në Fëmijërinë e Hershme, do të ketë logopedin, psikologun, punëtorin social dhe fizioterapeutin.
Për dy të parat, logoped e psikolog prindërit kanë paguar qindra euro në sektorin privat.
Bind Skeja nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social tha se shërbimet deri më tani kanë qenë të mangëta.
“Shërbimet psikologjike në sektorin publik kanë qenë shumë të mangëta nuk ka pas mjaftueshëm edhe rrjedhimisht prindërit është dashur të shkojnë në sektorin privat edhe shërbimet logopedike poashtu, kjo e bartë direkt përgjegjësin tek niveli lokal aty ku edhe duhet me qenë”, ka thënë Bind Skeja, themelues i QIPS.
Skeja tha se shuma që paguajnë prindërit në sektorin privat është shumë e madhe.
“Veç xhepin çka ua ka rëndu është e tmerrshme sepse një seancë sot kushton më e lira 35 euro kurse ato më të shtrejta deri në 50-60 euro kështu që për një prindë me dërgu fëmijnë në baza javore për seanca është e pa përballueshme”, ka thënë Bind Skeja, themelues i QIPS.
E, nga Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë bën të ditur se janë ende në fazën fillestare të rekrutimit të këtyre katër profileve.
“Do të gjejë zbatimin në ditët dhe javët në vijim sepse janë procedura që varen nga shumë faktor sepse normalisht këto i shtohet procedurave të rregullta të rekrutimit të punonjësve të cilët do t’i bashkëngjiten profileve aktuale që janë”, ka thënë Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë, Prishtinë.
Gashi bëri të ditur se cilat kategori do të përfshihen me këto katër shërbime.
‘’Të gjitha këto shkojna në kuadër të programit për kujdesin për gratë shtatzëna, nënat lehona dhe fëmijët 0-3 vjeç sepse janë kategori që do t’i bashkohen këtij programi dhe do të japin kontributin e tyre te fëmijët që kanë nevojë”, ka thënë Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë, Prishtinë.
Udhëzimi ka caktuar edhe pajisjet që duhet t’i posedojnë Qendrat e Mjekësive Familjare kur t’i kenë këto shërbime.
Ndërkohë televizioni, ka kërkuar një qëndrim edhe nga komuna e Pejës, Gjakovës, Deçanit, Mitrovicës, Hanit të Elezit, Kaçanikut, Vushtrrisë e Obilqit nëse kanë nisur procedurat për këto shërbime por ata s’kanë kthyer përgjigje.