Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të nisë komunikimet me partitë politike menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
I pyetur për hapat e ardhshëm drejt formimit të institucioneve, Kurti tha se fillimisht duhet të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve.
“Por sa të certifikohet rezultati, fillojmë komunikimet menjëherë”, tha Kurti para mediave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të merren nga institucionet përkatëse.
Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 ulëse.
Me këtë shpërndarje mandatesh, Vetëvendosje ka mundësi të formojë qeverinë pa koalicion me partitë e tjera shqiptare.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit të vendit, proces që ishte edhe arsyeja e zgjedhjeve të parakohshme, kërkohet marrëveshje mes partive politike, pasi në dy raundet e para nevojitet prania e së paku 80 deputetëve në Kuvend.
