Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar sërish lidhur me projektin e gazit amerikan, duke e cilësuar atë si një çështje shumë më të madhe dhe më serioze sesa po paraqitet aktualisht.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se projekti nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie, por një provë e qartë e orientimit strategjik të Kosovës dhe e marrëdhënieve të saj me aleatin historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai kritikoi qëndrimin e Qeverisë ndaj këtij projekti, duke theksuar se në një kohë kur ekzekutivi po e kundërshton atë, heshtja nuk është opsion.
“Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri në këtë pikë, ndërsa shtoi se ky është momenti që qytetarët ta ngritin zërin e tyre.