Franca i ka regjistruar 1.000 vdekje të tepërta gjatë valës përvëluese të të nxehtit që e ka mbërthyer Evropën, njoftoi të dielën Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik, duke paralajmëruar se numri i vërtetë i viktimave ka mundësi të jetë edhe më i lartë.
Duke paraqitur vlerësimin paraprak të vdekjeve të tepërta, agjencia bëri të ditur se shumica e viktimave ishin njerëz të moshuar.
Ajo shtoi se pret që shkalla e vdekshmërisë të rritet, pasi të bëhen të ditura më shumë të dhëna për vdekjet në shtëpitë e pleqve dhe në shtëpi të tjera.
Evropa ka përjetuar temperatura përvëluese gjatë kësaj vale të të nxehtit, e cila është lidhur me dhjetëra vdekje, duke thyer rekorde temperaturash dhe duke shkaktuar ndërprerje në prodhimin e rrymës dhe duke dëmtuar infrastrukturën.
Shkencëtarët kanë thënë se kjo valë e të nxehtit, e cila filloi më 20 qershor, është më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë, një kontinent ku klima po ndryshon më shpejt se mesatarja globale.
Të nxehtit ekstrem po zbutet në Francë
Vala e të nxehtit është zhvendosur drejt lindjes. Megjithatë, derisa shërbimi meteorologjik francez bëri të ditur se temperaturat ekstreme janë zbutur në pjesën më të madhe të vendit, disa zona në verilindje mbeten ende nën paralajmërim për valë të të nxehtit.