Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për sigurimin jetësor dhe shëndetësor të zyrtarëve policorë, pas vdekjes së një pjesëtari të Policisë së Kosovës të hënën gjatë orarit të punës në Vërmicë.
Në reagim, theksohet se rasti përbën një humbje të rëndë për institucionin dhe shoqërinë, ndërsa nënvizohet se detyrat që kryejnë zyrtarët policorë shpesh zhvillohen në kushte me rrezik të shtuar për jetën dhe shëndetin e tyre.
Në reagim i bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin sa më parë masa konkrete për të garantuar mbrojtje dhe përkrahje më të madhe për pjesëtarët e policisë, të cilët, sipas theksimeve, kryejnë detyra me përgjegjësi të lartë dhe rrezik të vazhdueshëm.
Në fund, shprehen ngushëllime të sinqerta për familjen e të ndjerit, kolegët e tij dhe gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për këtë humbje në krye të detyrës.