Policia e Kosovës ka pranuar mëngjesin e së martës një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Dukagjinin se njoftimi është pranuar rreth orës 08:00.
“Rreth orës 08:00, kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, deklaroi Pllana.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet përkatëse, të cilat po bëjnë verifikimin e informatës dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme për garantimin e sigurisë.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me rastin.