
Asnjë dukuri masive në shoqërinë serbe nuk është aq tragjike sa tubimet e Vuçiqit. Domethënë, të shtunën më 27 qershor, një ditë para Vidovdanit të studentëve, autokrati më i madh serb Aleksandër Vuçiq, i cili po numëron ditët e fundit në krye të Serbisë, pësoi një debakël politik, me gjithë mobilizimin e paprecedentë të aparatit shtetëror, si dhe të një numri të madh njerëzish të shantazhuar që punojnë në ndërmarrjet shtetërore, institucionet dhe vetëqeverisjet lokale.
Natyrisht, jam shumë larg talljes me këta njerëz, por vërtet, vërtet dukeshin të mjerë dhe të humbur, në një miting edhe më të mjerë ku diktatori serb u kandidua për kryeministër të përjetshëm të Serbisë, sepse sipas kushtetutës serbe kjo është e mundur, por nëse këtë ia lejon edhe ajo Serbia tjetër që nuk është e tija. Makineria e Vuçiqit nuk solli në Beograd vetëm qytetarë të mjerë, të gjorë e të varfër për t’i thirrur “udhëheqësit të dashur”, por edhe një pjesë të atyre që përfituan dhe vodhën gjysmën e Serbisë. Kryesisht, atë që në kuptimin njerëzor është më e ulëta…
Ajo që bie veçanërisht në sy është shkalla e poshtërimit dhe mungesa e dinjitetit, ku këta njerëz i sjellin “diku” dhe pastaj i kthejnë. Sepse Vuçiqit, edhe në vapën më të madhe e të rrezikshme për shëndetin e njeriut, më e rëndësishme i duket numri sesa jeta e njerëzve. Ku atij nuk i prish punë nëse mes këtyre njerëzve të detyruar ka edhe kriminelë të ndryshëm që frikësojnë njerëz të cilëve kurrë nuk u është dhënë një shans; njerëz që mendojnë se Vuçiq i ka respektuar, ndërsa janë vetëm një vegël në duart e çmendura të dikujt. Duke menduar se punojnë për Serbinë, ata punojnë kundër saj.
Nuk mund të harrohet kujtimi i një tubimi të tillë, të një hutimi të pafund, turpi dhe trashëgimi. Dhe ajo ndjesi se janë aty me direktivë, nga paaftësia për të thënë “jo”, nga shantazhi. Vijnë si gjë e gjallë e bindur, sepse janë mësuar që në fëmijëri t’i binden autoritetit, ndaj mendojnë se Vuçiq është pikërisht ai. E pasi dikush u ka kushtuar një “grimcë” vëmendjeje, mendojnë se kjo organizohet për ta, ndërsa janë vetëm kulisë e dikujt, në mënyrë që ai të mund të vazhdojë të plaçkitë, helmojë dhe nënçmojë Serbinë.
Njeriu që beson në një ide vjen vetë, nuk ka nevojë për asnjë autobus. Asnjë lloj organizimi. Këtu nuk bëhet fjalë për politikë, por për nënshtrim. Ku kemi njerëz që, të verbëruar, kalojnë mbi çdo gjë për hir të një përfitimi të vogël. Çfarëdo që të ndodhë, s’ka rëndësi. Dhe një serb i tillë nuk vjen për shkak të Vuçiqit, por do të vinte për çdo Vuçiq të radhës. Ku shkojnë të gjithë, shkojnë edhe ata. Me këtë rast nuk duhet urryer ai popull, e as nuk duhet fyer me lloj-lloj emrash. Përkundrazi duhet kuptuar se ata nuk janë fituesit e sistemit të Vuçiqit, por viktimat. Atë nuk do ta ndryshojë gjykimi, por mirëkuptimi. Tallja i bën ata edhe më irracionalë. Prandaj nuk duhet ndryshuar vetëm pushteti, por karakteri i shoqërisë. Më së vështiri është t’i çlirosh njerëzit që as nuk e dinë se janë të robëruar.
Aleati më i madh i çdo pushteti të keq nuk është forca, por zakoni. Zakoni për të pritur që dikush të na shpëtojë. E ndërsa presim shpëtimtarët, humbim veten. Njerëzit e lirë nuk janë publiku, kulisa apo statistët e askujt. Opozita më e madhe ndaj çdo autoritarizmi është njeriu me dinjitet. Ai që nuk mund të blihet, të frikësohet apo të poshtërohet. Fjala më e shtrenjtë në botë është fytyra (nderi). Kur e shet një herë, çdo gjë tjetër bëhet e lirë. Asnjë ditore nuk vlen sa dinjiteti.
Populli nuk është armiku, populli është viktima më e madhe. Prandaj nuk duhet goditur me fyerje, por me dorën e zgjatur. Të bëjmë që ata të bëhen njerëz më të mëdhenj, e jo më të vegjël. Në fund të fundit, nuk duhet pasur frikë nga Vuçiqi, por nga shoqëria që krijon Vuçiqë të rinj, topuzin më të madh serb të shekullit të 20-të.
Prandaj, tubime të tilla nuk janë fitore e Serbisë, por kënaqje e pasioneve më të ulëta të të gjithë atyre që jo vetëm që nuk dinë për më mirë, por në thelb nuk janë për asnjë lloj ndryshimi, por për këtë lloj vegjetimi, nga tragjedia në tragjedi, nga poshtërimi në poshtërim… Nga Vuçiqi te Vuçiqi, të keqes më të madhe në Ballkan, dhe gabim i BE-së që ia bën me hile dhe toleron Putinin serb, i cili nuk ka ndërmend të zbresë deri në fund të jetës nga kurrizi i popullit të rrënuar serb.


