Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur sërish fajtor Ekrem Bajroviqin në rigjykim, duke e dënuar me 12 vjet burgim për veprën penale “krime lufte ndaj popullatës civile”, të kryera gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Aktgjykimi u shpall të premten nga kryesuesi i trupit gjykues, Avni Syla, i cili bëri të ditur se gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi ta dënojë Bajroviqin me 12 vjet burgim.
Sipas vendimit, në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha që Bajroviqi ka kaluar në paraburgim, duke filluar nga 19 tetori 2022, ndërsa masa e paraburgimit do t’i vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.
“Sot me datë 3.7.2026, në emër të popullit shpallim këtë aktgjykim. I akuzuari Ekrem Bajroviq, të dhënat personale si në shkresat e lëndës, gjykata e shpall fajtor për veprën penale krim i luftës ndaj popullatës civile, bashkëkryerje nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Andaj gjykata, u përmbahet neneve 4, 5, 6, 7, 8, 11, 12, 22, 25, 33, 34, 35, 38, 41, 51 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, dhe nenin 368, 366 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, e gjykon të akuzuarin me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 viteve. Në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 19.10.2022 e tutje, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me aktgjykim.
Të akuzuarit Ekrem Bajroviq i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Detyrohet i akuzuari që t’i paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 300 euro, si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit në vlerë prej 100 euro. Të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt civil. Palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të kopjes së aktgjykimit në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate. Arsyet më të zgjeruara për këtë çështje do t’i japim në aktgjykimin e përpiluar në shkrim, të cilin aktgjykim do ta pranoni në afatin ligjor”, tha Syla.