Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë 17 persona të akuzuar për organizimin dhe zhvillimin e një aktiviteti të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit në sera në zonën e Drenovicës, në Berat. Në total, gjykata ka dhënë dënime që arrijnë në 111 vite e 8 muaj burg, raportojnë mediat në Shqipëri përcjell Dukagjini.
Dënimet më të larta iu shqiptuan dy drejtuesve të grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, të cilët u dënuan secili me nga 8 vite e 8 muaj burg. Ata u shpallën fajtorë për disa vepra penale, përfshirë drejtimin e grupit të strukturuar kriminal, kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe armëmbajtjen pa leje.
Anëtarët e tjerë të grupit u dënuan me masa që variojnë nga 5 vite e 4 muaj deri në 6 vite e 8 muaj burg. Ndërkohë, për Drita Memën dhe Izmire Memën gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me katër vite burg, duke i kaluar në shërbim prove për një periudhë trevjeçare. Ato u shpallën të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, por u dënuan për kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, grupi kriminal kishte nisur aktivitetin në fund të vitit 2021, ndërsa kultivimi dhe përpunimi i kanabisit u zhvillua gjatë periudhës qershor-nëntor 2022. Operacioni për goditjen e rrjetit u finalizua më 10 nëntor 2022, kur autoritetet sekuestruan rreth 871 kilogramë kanabis të përpunuar, të paketuar në qindra arka plastike dhe thasë, si dhe armë zjarri dhe municion luftarak.
Hetimet treguan se kultivimi realizohej në katër sera të ngritura në zonën e Rërës, në Drenovicë të Beratit, në një sipërfaqe prej rreth 10 deri në 27 dynymësh. Grupi kishte organizuar edhe ambiente akomodimi për punëtorët, të cilët rekrutoheshin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë me premtimin për pagesa të larta ditore, transport falas dhe strehim.
Gjatë operacionit u identifikuan edhe 93 gra të angazhuara në punën në sera. Për to, SPAK shpalli moskompetencë, ndërsa procedimi penal vijoi vetëm ndaj organizatorëve dhe personave që drejtonin aktivitetin kriminal.