Policia e Kosovës ka nisur hetime ndaj një zyrtari në Kaçanik, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit, hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas pranimit të informacionit për dyshime se i dyshuari, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, kishte kërkuar nga një qytetar dokumente shtesë për leje ndërtimi, përmes një kompanie private gjeodezike, për të cilat viktima kishte paguar mbi 600 euro.
Pas marrjes së lejes së ndërtimit, viktima kishte vërejtur se dokumentet për të cilat kishte paguar nuk figuronin në dosjen zyrtare dhe më pas kishte njoftuar Policinë e Kosovës.
Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kanë intervistuar të dyshuarin në prani të avokatit mbrojtës, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.