Gurakuç Kuçi, hulumtues i jashtëm në Institutin Octopus ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Listës Serbe dhe deputetit në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, duke thënë se zbatimi i ligjit nga institucionet e Kosovës po tentohet të paraqitet si “spastrim etnik”.
Sipas Kuçit, Simiq po përdor retorikë nxitëse për ta paraqitur si konflikt politik një proces administrativ që lidhet me rrënimin e 11 objekteve pa leje të ndërtuara pranë liqenit të Ujmanit.
“Si është e mundur që shteti që ka kryer spastrimet etnike më të rënda në Ballkan gjatë viteve ’90, sot ta përdorë më së shumti termin ‘spastrim etnik’ për ta paraqitur veten si viktimë dhe për ta arsyetuar tërheqjen e tij në një luftë të re?”, ka thënë Kuçi përcjell Dukagjini.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e Simiqit në një intervistë për median serbe Pink, ku ai kishte thënë se “qëllimi është që Serbia me çdo kusht të tërhiqet në ndonjë konflikt”.
Kuçi ka thënë se një deklaratë e tillë nuk vjen pas ndonjë kërcënimi ushtarak, por në një situatë kur institucionet e Kosovës po zbatojnë vendime ligjore ndaj ndërtimeve pa leje.
Ai ka përmendur edhe deklaratën e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Sipas Kuçit, Serbia po përdor termin “spastrim etnik” si mjet politik, duke i paraqitur veprimet ligjore të institucioneve të Kosovës si sulme ndaj komunitetit serb.
Ai ka theksuar se në Kosovë prej vitesh janë ndërmarrë aksione ndaj ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme, si në Batllavë, Prevallë e Sibovc, pa u cilësuar si veprime me prapavijë etnike.
Kuçi ka vlerësuar se përpjekja për etnizimin e zbatimit të ligjit është pjesë e një strategjie politike që, sipas tij, synon krijimin e tensioneve dhe destabilizimin e rajonit.