Haxhiu iu përgjigjet ndërkombëtarëve: Kush do të lejonte në vendin e tyre gjyqtarë të dirigjuar nga një shtet tjetër?

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që në trajtimin e kërkesave të gjyqtarëve serbë për rikthim në sistemin e drejtësisë të ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Deklaratat e Haxhiut vijnë në ditën kur KGJK-ja pritet të shqyrtojë këtë çështje në mbledhjen e 371-të, ku në rend dite është edhe diskutimi lidhur me kërkesën e saj dhe njoftimet e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.

Haxhiu ka vlerësuar se institucionet e drejtësisë duhet të marrin vendime të pavarura, duke kërkuar që të merret parasysh edhe vendimi i Këshillit Prokurorial, i cili nuk kishte miratuar kërkesat e prokurorëve serbë për rikthim pas dorëheqjeve të vitit 2022.

“Në linjë me përgjegjësitë e mia kushtetuese, unë sot thërras Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, por edhe vetë praktikën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Para pak kohësh, unë kam liruar nga detyra një gjyqtare shqiptare: ajo, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga sistemi për arsye personale, një javë pas, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte dorëzuar kërkesën për lirim nga detyra. Pra, për këtë menjëherë bëhet propozimi për lirim nga detyra tek Presidenti.

Të jemi të qartë: ata ish-prokurorë për të cilët kam nënshkruar dekretet për lirim nga detyra nuk janë liruar nga detyra sepse janë nga komuniteti serb; janë liruar nga detyra për shkak të dorëheqjeve të tyre që i kanë bërë pas presionit të Serbisë dhe pas presionit të Vuçiqit”, ka shtuar Haxhiu.

Ajo është shprehur kritike ndaj reagimeve të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me këtë proces, duke ngritur pyetjen se si do të vepronin shtetet e tyre në një situatë të ngjashme.

“Imagjinoni, të nderuar gazetarë, në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që i binden urdhrave të një shteti tjetër – në këtë rast të Serbisë! Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë që sot bëjnë presion mbi këto këshilla, kush nga ata do të lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër? Dhe kush nga këta partnerë ndërkombëtarë që neve na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe për pavarësi të sistemit të drejtësisë, kush nga këta do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorët që janë anëtarë të këshillave të vendosnin diçka që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi?”, ka theksuar Haxhiu.

Çështja e gjyqtarëve serbë lidhet me dorëheqjet kolektive të nëntorit të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës pas vendimit të Listës Serbe për bojkotimin e institucioneve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian një ditë më parë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga çdo formë presioni ndaj KGJK-së dhe anëtarëve të saj gjatë procesit të vendimmarrjes.

Zyra e BE-së në Kosovë ka theksuar se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit.

“BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes”, është thënë në reagimin e BE-së.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës tashmë ka vendosur për rastin e prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje, duke mos i miratuar kërkesat e tyre për rikthim. Ky vendim më pas është formalizuar edhe nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Shija e redaktorit

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika