Maji i vitit 2026 e gjeti Kosovën me 225 ndërmarrje më pak të regjistruara, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 1 mijë e 108 biznese, duke shënuar një rënie prej 16,9 për qind.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve(AKB) Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se trendi i ndërmarrjes në Kosovë është duke u përkeqësuar nga viti në vit, ku përveç rënies së numrit të bizneseve të reja, janë regjistruar edhe bizneset e falimentuara, të cilat sipas tij janë mbi dy mijë, për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
“Aleanca e Biznesit vlerëson se nga viti në vit është duke u përkeqësuar trendi i ndërmarrësisë në Kosovë dhe bizneset e reja janë më pak në krahasim me vitet e kaluara dhe kemi rreth 200 sosh, nëse e krahasojmë gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, sa ishin 6640 biznese, kurse tani janë të regjistruara më pak rreth 200 biznese. Dhe nëse flasim për këtë trend të rritjes së bizneseve dhe nëse flasim për shuarjen e bizneseve, ne këtë vit një shuarje e bizneseve kemi mesatarisht diku mbi 700 biznese të shuara, sipas statistikave, por sipas Aleancës Kosovare të Biznesit numri i bizneseve të shuara, të pushuara dhe të falimentuara për gjashtë mujorin e parë e kap mbi 2000 kompani. Dhe këtë ne e analizojmë në bazë të fakteve në terren, në bazë të informatave që kemi nga degët e Aleancës Kosovare të Biznesit, rreth e përqark Kosovës, ku shumë biznese kanë ndalë aktivitetin e vet, nuk qarkullojnë, i kanë lëshuar bizneset ose lokalet me qera, kanë mungesë të fuqisë konkurruese, kanë mungesë të fuqisë financiare, humb tregun, dhe gjithë kjo e bënë që një biznes të vjen deri të falimentimi”, tha ai.
Shahini theksoi se duke marrë parasysh shuarjen e mbi dy mijë kompanive, numri i punëtorëve që kanë mbetur pa vende pune është mbi pesë mijë, e shqetësimi më i madh sipas tij, është pikërisht falimentimi i biznesit.
“Nëse konsiderojmë këto biznese sipas statistikave tona që kanë pasur tre e më shumë të punësuar, vetëm në gjashtë mujorin e parë na kanë mbetur mbi 5000 punëtorë pa vende të punës, pavarësisht bizneset e reja që janë regjistruar, numri i tyre që është mbi 6000, këto biznese ende nuk e dimë se a kanë filluar aktivitetin e vet, sa kanë punësuar dhe si është duke u zhvilluar aktiviteti në terren me to, sepse janë të reja. Prandaj, shqetësimi më i madh i institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Aleancës Kosovare të Biznesit është kur biznesi shuhet, kur biznesi falimenton, kur biznesi mbyllet. E them pse është një dallim i madh mes bizneseve të shuara zyrtarisht dhe bizneseve të shuara jozyrtarisht për shkak të procedurave në Kosovë, janë tepër të rënda për të shuar një biznes dhe bizneset heqin dorë për të ndjekur procedurat, por kryesisht ato janë biznese që janë mbyllur dhe ky numër është tejet i madh”, tha ai.
Kryetari i AKB tha se disa nga faktorët dekurajues për hapjen e një biznesi të ri në Kosovë, janë konkurrenca e ashpër, çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe politikat fiskale jo të mira, sa i përket financimit të projekteve.
“Shumë qytetarë kanë shpirt ndërmarrës dhe tentojnë të hyjnë në tregun e punës, tregun e aktiviteteve ekonomike, provojnë të hyjnë, nuk kanë informacione shumë se çfarë tregu është i Kosovës, hyjnë, disa kanë informacione të sakta dhe kërkojnë të ballafaqohen me tregun, kjo tregon që kosovarët me çdo kusht dëshirojnë të hynë në treg, por shohin që nuk është e lehtë të kemi një aktivitet të rëndomtë karshi konkurrencës, është e jashtme, shumë e ashpër, duke përfshirë këtu edhe dekurajimi i bizneseve, pse nuk është më i madh, për shkak se konkurrenca është e ashpër, e padrejtë, energjia elektrike është tepër e lartë, politikat fiskale jo të mira, sa i përket financimit të projekteve janë procedura të stërzgjatura.
Poashtu procedurat për licensa, sidomos për të marrë leje ndërtimi, për të marrë ndonjë licensë për gurthyes apo për ndonjë fabrikë janë tepër të larta dhe këto janë dekurajim, përderisa në vendet tjera çdo biznes kur hapet i ri, ta marr shembull Maqedoninë, e cila është konkurrenti numër një për të thithur investitorët e Kosovës atje dhe Shqipëria, në një periudhë 3-5 vjeçare i subvencionojnë pagat, tek ne nuk subvencionohet asgjë, tek ne tatimohet nga dita e parë e regjistrimit dhe kjo është dekurajim, karshi shteteve tjera. Prandaj, klima biznesore në Kosovë do të duhej të përmirësohej bashkarisht me klimën juridike dhe kjo klimë juridike do të krijojë besim më të madh, por në anën tjetër do të krijojë mundësi për investimet e reja”, deklaroi ai.
Shahini potencoi se duhet të hapet tregu ekonomik i Kosovës, të trajtohen drejtë të gjitha bizneset, si dhe të krijohet besim në sistemin juridik e atë qeverisës.
“Bizneset e reja mund të rriten në Kosovë, jo vetëm nga kosovarët, por edhe nga investitorët e huaj, sepse investitorët e huaj nga numri i kompanive të regjistruara janë pak, do të ishte që tregu ekonomik i Kosovës të hapet, të trajtohen bizneset drejtë, mirë, të krijohet besim në sistemin juridik, të krijohet besim në sistemin qeverisës, mos funksionimi i institucioneve shtetërore të Kosovës tash e dy vite, në zgjedhje tre herë, mos funksionim të parlamentit, qeverisë, të gjitha këto janë dekurajim për investitorët e huaj dhe ata vendorë”, përfundoi ai.