Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shfrytëzuar ceremoninë e promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë Serbe për të përsëritur pretendimet territoriale ndaj Kosovës dhe për të dërguar mesazhe kërcënuese, duke deklaruar se “Kosova është e jona” dhe se Serbia po armatoset me “armët më të mira” për t’iu përgjigjur zhvillimeve në rajon.
Gjatë ceremonisë së mbajtur në kazermën “Gjeneral Jovan Mishkoviq” në Banjicë, ku u promovuan 130 oficerë të rinj, Vuçiq u bëri thirrje kadetëve që të mbrojnë “çdo pëllëmbë” të territorit që Serbia e konsideron të saj, duke e lidhur këtë me pretendimin se Kosova i takon Serbisë “si sipas Kushtetutës, ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit”, raportojnë mediat serb përcjell Dukagjini.
“Kosova është e jona si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit, dhe ne duhet ta kujtojmë dhe ta ruajmë këtë”, deklaroi Vuçiq, duke përsëritur narrativën zyrtare të Beogradit që bie ndesh me realitetin e shtetësisë së Kosovës dhe me njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj nga shumica e vendeve perëndimore.
Presidenti serb pretendoi gjithashtu se ndaj Serbisë po krijohen “aleanca në rajon”(Kroaci-Kosovë-Shqipëri), duke e përdorur këtë si argument për vazhdimin e militarizimit të vendit.
“Ata krijuan aleanca kundër nesh në rajon. Ne i kuptuam këto mesazhe dhe filluam të furnizohemi me armët më të mira”, tha ai, duke e paraqitur forcimin ushtarak të Serbisë si përgjigje ndaj zhvillimeve rajonale.
Në fjalimin e tij, Vuçiq u tha oficerëve të rinj se ata do të përballen me “presione” për shkak të detyrës së tyre për të mbrojtur integritetin territorial të Serbisë, duke nënkuptuar edhe pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës.
Ceremonia u zhvillua në prani të krerëve më të lartë shtetërorë dhe ushtarakë të Serbisë, përfshirë Patriarkun Porfirije, kryeparlamentaren Ana Brnabiq, kryeministrin Gjuro Macut, ministrin e Mbrojtjes Bratisllav Gashiq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm Millan Mojsiloviq.
Në këtë ceremony në mesin e 130 kadetëve ishte edhe Predrag Gjuriçiq, i prezantuar nga autoritetet serbe si kadet “nga Kosova”.