Prokuroria Speciale e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të ndaluar të martën në Zubin Potok, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka bërë të ditur për RTK-në se personat me inicialet M.J. dhe M.B. dyshohen në lidhje me rastin e varrezës masive të zbuluar në Zubin Potok.
Sipas Prokurorisë, në këtë lokacion janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët janë ekzekutuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.
“Prokuroria Speciale e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të ndaluar në Zubin Potok, të dyshuar për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, ka deklaruar Luta për RTK-në.
Sipas saj, ndalimi i dy të dyshuarve është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të prokurorit të rastit.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se institucionet kompetente kanë kryer procesin e zhvarrosjes (ekshumimit), autopsisë dhe identifikimit të mbetjeve mortore në lokacionin ku u zbulua varreza masive në Komunën e Zubin Potokut.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë nga autoritetet kompetente.