Dimiq: Tradhtia e simbolit serb të rezistencës ose si revolucioni ha bijtë e vet

SHKRUAN: RADOMIR DIMIQ

Tradhtia e simbolit serb të rezistencës ose si revolucioni ha bijtë e vet

Pse studentët në bllokadë heshtin në mënyrë frikacake përndjekjen e studentëve të Novi Sadit, të cilët i udhëhoqën ata në “revolucionin” kundër regjimit autoritar serb? Aktivistët dhe studentët e organizatës STAV nga Novi Sadi ishin të parët që nisën kryengritjen, por më pas mbetën të vetëm dhe u përjashtuan në mënyrë frikacake. Distancimi dhe heshtja hapën rrugën për ikonografinë çetnike, relativizimin e krimeve të luftës, publikimin e një proklamate nacionaliste kundër Kosovës dhe ringjalljen e mitologjisë së Serbisë së Madhe.

Fati i këtyre të rinjve flet shumë si për pushtetin, ashtu edhe për lëvizjen e sotme studentore.

Interpoli bëri atë që prej kohësh çdo shtet serioz juridik priste nga Serbia. Ai refuzoi kërkesën për lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj gjashtë aktivistëve të organizatës STAV nga Novi Sadi, duke vlerësuar qartë se bëhej fjalë për një procedurë të motivuar politikisht.

Me fjalë të tjera, organizata më e rëndësishme policore ndërkombëtare u dërgoi autoriteteve në Beograd mesazhin se kanalet e saj nuk do të përdoren për përndjekjen e kundërshtarëve politikë. Një vendim i tillë përbën një shuplakë të rëndë ndërkombëtare për regjimin e Aleksandar Vuçiqit, por njëkohësisht hap edhe një pyetje shumë më të dhimbshme: Ku është Serbia, më saktësisht pjesa e saj “demokratike”? Ku janë studentët në bllokadë? Ku është opozita? Ku janë të gjithë ata që prej muajsh flasin për liri, drejtësi dhe rezistencë ndaj pushtetit autoritar?

Sepse pikërisht studentët dhe aktivistët e STAV-it nga Novi Sadi ishin ndër të parët që treguan se kundër regjimit të Vuçiqit mund të ngrihesh në mënyrë të organizuar, me guxim dhe pa llogaritje politike.

Përndjekja e tyre nuk filloi pas protestave. Përndjekja e tyre u shndërrua në një paralajmërim për të gjithë ata që mund të ndiqnin rrugën e tyre. Gjashtë prej tyre përfunduan në paraburgim, gjashtë të tjerë në mërgim dhe jetët e të gjithëve u ndërprenë nga një vendim politik i regjimit, i cili prokurorinë, policinë dhe gjykatat i ka shndërruar në instrumente të hakmarrjes së vet.

Interpoli konfirmoi se nuk u gjet asnjë vepër penale, sepse një e tillë nuk ekzistonte. Ajo që u gjet ishte përndjekja politike.

Një vendim i tillë duhej të kishte jehuar në mbarë Serbinë dhe të kishte nxitur një valë solidariteti, duke mobilizuar opinionin publik. Por kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj mbërriti heshtja. Heshtja e Serbisë opozitare, e një pjese të komunitetit akademik dhe heshtja e studentëve në bllokadë.

Më shqetësuesja nga të gjitha është kur viktimat e përndjekjes mbeten pa mbështetje pikërisht nga ata që e paraqesin veten si alternativë ndaj regjimit serb.

Këtu arrijmë te historia që shumë përpiqen ta harrojnë: Revolucioni i ha bijtë e vet, sidomos kur ata janë më të mirët.

Aktivistët e organizatës STAV nga Novi Sadi nuk u shfaqën në fund të protestave studentore. Ata i përkasin fillesës së tyre organike, madje, nëse dëshironi, edhe ideologjike. Ata ishin ndër të parët që hapën rrugën e revoltës, ndër të parët që paguan çmimin e rezistencës dhe ndër të parët që u vunë në shënjestër të aparatit shtetëror.

Në vend që të merrnin mbështetje nga kolegët e tyre, emrat e tyre sikur u zhdukën nga hapësira publike. Nuk ka kujtesë të përditshme se gjashtë të rinj tashmë prej 16 muajsh ndodhen larg familjeve, universiteteve dhe jetës së tyre. Nuk ka kërkesa që procesi i montuar politikisht të ndërpritet. Nuk ka unitetin studentor për të cilin flitet kaq shpesh.

Është krijuar një narrativë sikur ata nuk ekzistojnë më. Dhe kur publiku pushon së përmenduri dikë, pushteti fiton pikërisht atë që dëshiron. Sepse heshtja gjithmonë i shërben më të fortit, kurrë atij që përndiqet.

Veçanërisht shqetësues është qëndrimi i një pjese të lëvizjes studentore, e cila duket sikur është distancuar nga lufta e përbashkët. Madje, mund të thuhet se pasoi edhe një linçim verbal. Kjo lë të kuptohet se pushteti arriti të mbjellë përçarje brenda vetë lëvizjes studentore dhe se pasuan përçarje të thella.

Lëvizja, e cila mund të ishte shndërruar në simbol të Serbisë qytetare, filloi të rrëshqasë drejt simbolikës nacionaliste: flamuj çetnikë, relativizim i krimeve të luftës, romantizim i mitologjisë së Serbisë së Madhe dhe flirtim me ideologjitë që gjatë viteve ’90 sollën vdekje në mbarë ish-Jugosllavinë.

E gjithë kjo nuk ndodhi rastësisht. Çdo lëvizje formësohet nga njerëzit që mbeten në të dhe nga ata që përjashtohen prej saj.

Kur nga hapësira publike zhduken zërat qytetarë dhe antinacionalistë, boshllëku mbushet shumë shpejt nga ata për të cilët Ratko Mladiqi, Drazha Mihailoviqi apo koncepti i “botës serbe” janë referenca politike krejtësisht të pranueshme.

Prandaj rasti i STAV-it shkon shumë përtej fatit të dymbëdhjetë të rinjve. Ai tregon se çfarë lloj Serbie dëshiron pushteti, por, për fat të keq, edhe një pjesë e mirë e opozitës dhe e studentëve në bllokadë. Heshtja është dëshmi e qartë për këtë, sepse edhe heshtja është një qëndrim politik.

Është njësoj si të mos reagosh ndaj kërcënimeve që Vuçiqi i drejtoi Kosovës gjatë ceremonisë së promovimit të 130 oficerëve të rinj, kur u tha atyre të jenë të gatshëm të mbrojnë “tokën e shenjtë”, duke iu referuar Kosovës.

Dhe ajo që është më e keqja, këto kërcënime nuk u dënuan nga studentët, nga opinioni opozitar, por as nga vendet e Quint-it.

Heshtja mund të jetë gjithashtu shenjë miratimi, njësoj si ndaj deklaratave për spastrimin etnik të Kosovës nga ministrja serbe Snežana Paunović, si promotore e një retorike të tillë.

Një politikë e tillë ambivalente, e mosreagimit dhe e mungesës së distancimit të qartë nga retorika serbe nxitëse e luftës, në fakt i jep mbështetje Vuçiqit për të gjetur viktima të reja. Sepse çdo heshtje është një ndihmë e madhe për propagandën e regjimit, shumë më tepër sesa do të mund ta arrinte çdo televizion proqeveritar.

Për këtë arsye, vendimi i Interpolit ka një rëndësi shumë më të madhe sesa një çështje e thjeshtë procedurale. Ai zbulon natyrën autoritare të pushtetit në Serbi. Por, njëkohësisht, zbulon edhe krizën e thellë morale të një pjese të opozitës dhe të shoqërisë serbe, e cila lejoi që njerëzit që u ngritën ndër të parët kundër regjimit të shtyheshin në harresë.

Çdo shoqëri serioze demokratike i shndërron të burgosurit dhe të përndjekurit e saj të parë politikë në simbole të rezistencës. Serbia i ka shndërruar ata në një fusnotë. Kjo tregon se shoqërisë serbe i mungon guximi.