Cakolli: LVV-ja ka luksin të presë, e LDK-ja jo

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se pritjet për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vetëm dy ditë para seancës konstituive kanë qenë jorealiste.

Përmes një postimi në Facebook, Cakolli ka rikujtuar se edhe pas zgjedhjeve të vitit 2019, kur të dyja partitë kishin më shumë nevojë për njëra-tjetrën dhe bashkëpunimi i tyre konsiderohej si “koalicioni i shpresës”, marrëveshja nuk ishte arritur para seancës konstituive.

Sipas tij, situata aktuale është ndryshe, pasi LVV-ja ka pothuajse trefishin e votave dhe mandateve krahasuar me LDK-në, duke i dhënë asaj më shumë hapësirë për të pritur.

“Pak jorealiste këto pritjet optimiste që marrëveshja politike mes LVV-së dhe LDK-së do të arrihej vetëm dy ditë para seancës konstituive.

Një marrëveshje e tillë “në kohë” – para seancës konstituive – nuk u pat arritur as pas zgjedhjeve të vitit 2019. Atëherë, të dyja partitë kishin shumë më tepër nevojë për njëra-tjetrën, bashkimi i tyre shihej gjerësisht si “koalicioni i shpresës”, ndërsa në zgjedhje i ndanin më pak se 2%. E lëre më tash, kur LVV-ja i ka gati trefishin e votave dhe të mandateve të LDK-së.

Tash për tash, Kurti dhe LVV-ja e kanë luksin të presin, e madje edhe të mos arrijnë fare marrëveshje, pa u penalizuar edhe aq shumë elektoralisht. LDK-ja dhe sidomos Abdixhiku nuk e kanë të njëjtin luks, meqë për ta kjo s’është thjesht çështje e formimit të institucioneve, por edhe e fatit politik.

Në fund të fundit, sa më shumë nevojë ka njëra palë për marrëveshje, aq më pak arsye ka pala tjetër të nxitojë”, ka shkruar Cakolli.